Si te kujdesemi per lekuren

Nga e tërë lëkura e trupit, lëkura e fytyrës është më shumë e ekspozuar ndaj ndikimeve të ambientit të jashtëm. Për këtë shkak, aty vërehen shenjat e para të dëmtimit të lëkurës. Për të mos ardhur deri te kjo, shikoni se çka preferojnë ekspertët.

1. Pastrimi adekuat i lëkurës është baza e përkujdesjes adekuate
Në vend të xheleve të lehta që i kemi përdorur gjatë verës, tani është mirë që fytyrën ta pastrojmë me preparate kremoze për pastrim. Ato janë më të buta dhe më të dendura se xhelet, ngase përmbajnë më shumë elemente hidratuese.


2. Gjejeni një krem të mirë hidratues
Kur të doni ta blini ndonjë krem hidratues për përkujdesje ndaj lëkurës gjatë dimrit, lirisht mund të udhëhiqeni nga rregulli se kremi më i dendur është më i mirë. Gjatë muajve të ftohtë të dimrit, kremrat e tilla e mbajnë lëkurën e hidratuar, respektivisht parandalojnë humbjen e ujit. Bile edhe femrat me lëkurë të ndjeshme mund ta përdorin një preparat të tillë.

3. Një piling më i butë
Gjatë dimrit, pilingu i lëkurës ka të njëjtin qëllim si edhe gjatë verës – heqjen e qelizave të vdekura nga sipërfaqja e lëkurës. Por, në vend të pilingut të ashpër, abraziv, bëjeni një piling më të butë, me dorëz adekuate, me të cilën duhet të bëni fërkime të lehta të ballit, pjesës së hundës, faqeve dhe pjesës rreth gojës. Por, mos e harroni as qafën. Pas pilingut duhet ta përdorni ndonjë maskë hidratuese, për ta qetësuar lëkurën.

4. Mos e teproni
me dush të nxehtë
Edhe pse uji i nxehtë preferohet nga të gjithë, sidomos nëse jemi të lodhur, mos bëni dush të nxehtë më gjatë se 10 minuta. Edhe larjen në vaskë kufizojeni në 20 minuta. Qëndrimi apo ekspozimi i tepërt ndaj ujit të nxehtë ka ndikim negativ në lëkurë, duke e dehidruar atë.

5. Rregulli i tre minutave
Pas bërjes së dushit, në dispozicion keni vetëm tre minuta, për t’ia kthyer lëkurës lagështinë, sepse pas kësaj kohe, ajo nuk e thith më lagështinë e aplikuar nga ju. Nëse keni lëkurë tepër të tharë, atëherë në vend të kremit mund të përdorni vaj kozmetik ushqyes, i cili aplikohet në lëkurën ende të lagësht.