Vjersha per 100 vjetorin e pavarsise se Shqiperise

Ku Kemi Lerë

Në ç'vend kemi lerë?

Ku na bëjnë nderë?
--Në Shqipëri.

Po njeriu vetë,

cilë do në jetë?
--Do vend' e tij.

Ku i duket balta

m'ë e ëmbël se mjalta?
--Në vend të tij.


Ku munt të gëzojë
dhe me nder të rrojë?
--Në Shqipëri.

Përse të punojë

dhe të lakëmojë?
--Për vend' e tij.

Andon Zako Çajupi


Mëmëdheu

Mëmëdhe quhetë toka
ku më ka rënurë koka,
ku më ka dashur mëm' e atë,
ku më njeh dhe gur' i thatë,
ku kam pasurë shtëpinë,
ku kam njohur perëndinë,
stërgjyshët ku kanë qenë
dhe varret që kanë vënë,
ku jam rritur me thërrime,
ku kam folur gjuhën time,
ku kam fis e ku kam farë,
ku kam qeshur ku kam qarë,
ku rroj me gaz e me shpresë,
ku kam dëshirë të vdesë.

~Andon Zako Çajupi


I dashur Atdhe

Me vite jam larguar,

i dashur Atdhe,
por nuk të kam harruar,
se shumë i ëmbël je.

Kjo zemra më këndon

për ty, o Shqipëri,
por prapë më lëngon,
se je në varfëri.

Të fala të dërgoj,

këndej ku jam Atdhe,
gjithnjë po të kujtoj,
se birin tënd më ke.

~Asdreni


Sa të dua o Shqipëri

Sa të dua, o Shqipëri,

sa me mall ndiej e sa dëshirë,
për ty gaz e dashuri
mu në zemër më ka mbirë!
Se për mua, o Atdhe,
je një lule aq e vyer,
sa nuk gjendet përmbi dhe
shpirtin tim për të ushqyer!

~Asdreni


Korça

Kushdo që është sot burrë

Dhe shqipëtar i vërtetë,
Emëri s'i shuhet kurrë
Dhe nderi i rron përjetë.

Gjuha jonë sa e mirë!

Sa e ëmblë, sa e gjerë!
Sa e lehtë, sa e lirë!
Sa e bukur, sa e vlerë!

Kjo ë'shtë mëm' e mirësisë,

Që bije qytetërinë,
Gazthin e vëllazërisë,
Njerëzin' e miqësinë.

S'jemi grekër as bullgarë,

Asgjë tjetër nukë jemi,
Jemi vetëm shqipëtarë,
Ne kët'emër nder'e kemi.

Nga gjithë ç'kemi kënduar

Për të njohur vetëhenë,
Kaqë gjë kemi mësuar,
Të nderojmë mëmëdhenë.

Se njerëstë gjithë vdesin,

Po jeta s'mbetet e shkretë,
Gjuha, mëmëdheu mbesin
Të patundurë përjetë.

Me zëmërë të gëzuar

Dhe me gjithë shpirt uroni!
Zotërinjt' e zotëruar,
Gjithë përnjëherë thoni:

Rroft' e qoftë Shqipëria

Dhe kombi e gjuha jonë!
Lulëzoftë dituria,
Edhe ndihmës paçim zonë.

~Naim Frasheri